75 Mall Live Search
20:29 / E Martë, 07 Tetor 2025 / Burim

Vjen reagimi i parë nga familjarët e gjyqtarit të vrarë në Shqipëri, Astrit Kalajës

E afërmja e gjyqtarit të ndjerë Kalaja, Lira Parruca ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që u regjistrua pasditen e djeshme brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit Tiranë. Parruca shkruan se gjyqtari Kalaja u nda nga të afërmit e saj në mënyrë të padrejtë.

Ajo e përshkroi të afërmin e saj si person të ndjeshëm dhe që gjithmonë ishte i gatshëm për të ndihmuar. Parruca më tej e vlerësoi kushëririn e saj duke theksuar se ai ishte një profesionist në punën e tij dhe Shkodra do ta ndjejë mungesën e drejtësisë së tij. Ajo ka shprehur ngushëllimet e saj për bashkëshorten dhe 3 fëmijët e Kalasë.

 “Me zemër të copëtuar shkruaj këto fjalë që nuk do të doja kurrë t’i shkruaja… Sot jemi ndarë në mënyrën më të padrejtë nga kushëriri im i dashur, Titi, një njeri që ishte dritë për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për qytetin tonë.

 Titi ishte shumë më tepër sesa një gjyqtar i ndershëm dhe një profesionist i jashtëzakonshëm. Ai mishëronte mirësinë, fisnikërinë dhe ndershmërinë e rrallë. Ishte i dashur, i qetë, me një zgjuarsi që të binte menjëherë në sy, me humor të hollë dhe me një ndjeshmëri të thellë për njerëzit. Gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, gjithmonë pranë të tjerëve- sepse kështu ishte zemra e tij: e madhe, e hapur, e pastër.

 I shoqërueshëm, i afërt, i lidhur fort me familjen, me njerëzit, me jetën. Një qytetar i denjë i Shkodrës që i dha emër, vlerë dhe nder profesionit të tij, duke e përfaqësuar me përulësi, dinjitet dhe pasion të vërtetë. Shkodra do ta ndjejë mungesën e drejtësisë së tij, të buzëqeshjes së tij të qetë, të mirëkuptimit dhe mirësisë që ai shpërndante pa zhurmë, por me shumë dashuri.

 I dashur Tit, do të më mungojnë bisedat me ty… prania jote, energjia jote e mirë, qetësia që përçonte zëri yt, dhe mënyra si arrije ta bëje çdo gjë të dukej më e thjeshtë dhe më e lehtë. Ti do të jetosh përgjithmonë në zemrën time si shembulli më i bukur i një njeriu që ndriçonte jo vetëm në profesion, por mbi të gjitha në shpirt. Humbja jote është e rëndë, e pabesueshme… por kujtimi yt do të mbetet i paharruar për mua dhe për këdo që pati fatin të të njohë.

 albona Dema Kalaja- Bona e dashur, në këtë dhimbje të paimagjinueshme, dua të të them se jam me ty me gjithë shpirt. E di që nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë këtë plagë, por zemra ime është pranë jush. Të përqafoj fort ty dhe tre fëmijë e mrekullueshëm që ishin gjithçka për Titin, dhe që do të mbajnë gjithmonë në vete një copëz nga dashuria, forca dhe drita që ai u dha me gjithë qenien e tij. Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje kaq të madhe. Prehu në paqe, Titi jonë i dashur. Do të të duam dhe do të të kujtojmë përjetë,” shkruan Lira Parruca.