75 Mall Live Search
09:10 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / A

Vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtarët akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit

Çfarë mund të kërkonte drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, këtë mëngjes në Gjykatën e Apelit, pikërisht në sallën ku një ditë më parë u vra gjyqtari Astrit Kalaja? Një homazh i vonuar, apo ndoshta një inspektim nga afët për të gjetur një alibi, se pse policia që ai drejton nuk ishte aty kur duhej?

Tashmë është e konfirmuar se futja e vrasësit, Elvis Shkambi në sallën e gjyqit i armatosur erdhi si pasojë e neglizhencës së rojes që nuk kreu asnjë kontroll edhe pse dedektori e sinjalizoi. Po ashtu, pamjet e vrasësit, që qëndron në oborrin e gjykatës me duar në xhepa dhe që i thërret vetë policët tregojnë se gjykatësi Astrit Kalaja nuk pati asnjë masë sigurie për punën e tij dhe përgjegjësinë për këtë e kishte policia.

Pikërisht drejt policisë e ngre gishtin Këshilli i Lartë Gjyqësor që u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme pas vrasjes së kolegut të tyre.

Akuzat e gjyqtarëve ndaj policisë

Gjyqtarët e dinë mirë se në atë sallë, që dje u kthye në skenë krimi, deri një ditë më parë ishte vetëm një polic për gjithë sigurinë e godinës. Akuzën e tyre e kanë konfirmuar edhe zyrtarisht në deklaratën përfundimtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), ku kanë folur hapur për policinë që ka lënë gjykatat pa mbrojtje, pavarësisht kërkesave të përsëritura për të shtuar numrin e efektivëve në sallat e gjyqit.

Kërkesat kanë qenë të qarta. Gjyqtarët i kanë publikuar në rrjetet sociale shkresat zyrtare drejtuar ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku, por përgjigjja e tij ishte po aq e qartë sa edhe cinike:

“Aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor” ka qenë përgjigja e ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë dy vite më parë.

KLGJ publikoi dokumentet në rrjetet sociale, për t’i treguar publikut se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte e paralajmëruar.

Dhe në deklaratën pas mbledhjes, Këshilli nënvizoi: “Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.”

Nga kjo rezulton se gjyqtari Astrit Kalaja prej kohësh ishte lënë pa mbrojtje, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, njësoj si të gjithë kolegët e tij në gjykatat e tjera.