“Ndryshoi testamentin së fundi, ia la pasurinë shqiptarit”, detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Greqi

Nipi i pronarit të vrarë si edhe i vetmi dëshmitar okular për vrasjen e shqiptarit që trondit Finikoundën, dha një dëshmi në lidhje me autorët krimit.
Nipi përshkroi momentet e tmerrit ku shpreh se “ sapo u qëllua xhaxhi im, arrita të vrapoja shpejt dhe u largova”. Ai shtoi se vrasësi arriti ta qëllonte xhaxhain e tij për vdekje.
Deri tani deklarata janë marrë nga të afërmit dhe miqtë e pronarit 68-vjeçar, ku dyshohet se ka pasur njerëz që kanë synuar pronën e tij.
Sipas burimeve, pronari 68-vjeçari kishte ndryshuar kohët e fundit testamentin, duke ja lënë kampingun nipit dhe mikut të tij të ngushtë shqiptar, i cili ky i fundit mbeti po ashtu i vrarë.
Ky detaj konsiderohet thelbësor, pasi përmbys dyshimet e mëparshme dhe forcon mundësinë që krimi të jetë i lidhur me mosmarrëveshje financiare.
Në të njëjtën kohë, ishte lëshuar një ofertë shitjeje prej afërsisht 5 milionë eurosh për shitjen e kampingut, e cila po shqyrtohet gjithashtu si një motiv i mundshëm.
Mësohet se pronari i kampingut ka qenë sulmuar edhe dy herë të tjera në të kaluarën. Rasti i parë ka ndodhur disa muaj më parë, kur një person i panjohur e qëlloi në tëmth me një pistoletë ajrore, ndërsa rasti i dytë përfshinte një sulm fizik brenda ambienteve të biznesit. Këto raste nuk u hetuan, por tani duket se lidhen me vrasjen e dyfishtë.
Policia ka nisur një operacion të gjerë në rajonin e Mesinisë, duke shfrytëzuar çdo provë të disponueshme nga kamerat, telefonat celularë dhe deklaratat e dëshmitarëve. Ekipet speciale të Shërbimit të Hetimit Penal po analizojnë gjetjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa po hetohet edhe nëse autori i krimit kishte ndonjë lidhje me viktimat apo dinte detaje rreth gjendjes së tyre financiare.
Në të njëjtën kohë, rastet e mëparshme të sulmeve në zonë po shqyrtohen për të përcaktuar nëse ekziston një model i përbashkët ose lidhje me mënyrën e veprimit të vrasësit.
Rasti i Finikoundës ka tronditur të gjithë rajonin e Mesinisë në Greqi. Autoritetet lokale besojnë se autori i krimit kishte motive personale ose financiare dhe mund ta ketë studiuar me kujdes planin e tij.
Pavarësisht faktit se kanë kaluar ditë që nga vrasja, hetimet mbeten të hapura dhe vazhdojnë me intensitet të pandërprerë.
Policia ka shqyrtuar mundësinë e hetimit tek transaksionet financiare të viktimës dhe ndryshimet që ai bëri pak para se të humbiste jetën.
Ndërsa autori i krimit mbetet i lirë, vrasja e dyfishtë në Finikounda vazhdon të shkaktojë tmerr dhe pyetje rreth asaj se kush ose çfarë fshihet pas njërit prej rasteve më të errëta të viteve të fundit.