75 Mall Live Search
13:09 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / P M

Ambasadori i BE-së në Kosovë: Zgjedhjet janë provë për demokracinë, çdo votë ka rëndësi

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në Kosovë, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të drejtë.

Duke folur për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Orav theksoi se “çdo votë ka rëndësi” dhe se pjesëmarrja në votime kontribuon në forcimin e Kosovës si një vend demokratik, dinamik dhe multietnik.

“Me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, u bëj thirrje të gjithëvotuesve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencës partiake, të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që vullneti i votuesve të respektohet dhe rezultatet të zbatohen”, tha ambasadori.

Ai shtoi se këto zgjedhje përbëjnë një moment kyç për demokracinë në vend dhe mund të shërbejnë si një hap i rëndësishëm drejt përparimit dhe integrimit evropian.

“Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës. Kalimi me sukses i kësaj prove i hap Kosovës mundësi të reja”, përfundoi Orav.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen këtë të diel në disa komuna të Kosovës, në një atmosferë që pritet të jetë vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe me vëmendje të shtuar për mbarëvajtjen e procesit.