75 Mall Live Search
13:13 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / MSH

​Kurti: Modernizimi i njësisë prodhuese garanton stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë vizituar termocentralin “Kosova B”, në përmbyllje të punimeve në rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë B2.

Kurti deklaroi se modernizimi i kësaj njësie prodhuese “garanton stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin”. Ai shtoi se kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavat orë, për çka tha se sistemi është më efikas, më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.

Pas vizitës në termocentralin “Kosova B”, Kurti tha se ky është një sukses dhe e arritur e rëndësishme për vendin.

“Sot po shënojmë përmbylljen me sukses të një prej projekteve më të rëndësishme të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që nga ndërtimi. Modernizimi i njësisë prodhuese B2, që garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin. Jemi këtu bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjithashtu edhe me kryeshefin, ushtruesin e detyrës së korporatës të kryeshefit në KEK, Gramoz Hashanin. Pastaj me kryetarin e bordin të KEK-ut, Valdrin Krasniqi dhe me anëtarët e tjerë të bordit që t’i përgëzojmë punëtorët dhe KEK-un në përgjithësi për këtë të arritur shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavatorë.

“Ky projekt ishte planifikuar që të zbatohej nga prilli deri në shtator sivjet, si ndërhyrje e thellë teknike dhe inxhinierieke, e cila e ka transformuar njësinë e prodhimit në një sistem shumë më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurtë. Ky është sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknik, i cili sot po kurorëzohet me këto rezultate të prekshme e të dukshme. Përmasat dhe rezultatet kryesore janë me sa vijon: kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavat orë, pa asnjë ndryshim në parametrat bazë të funksionimit. Dikur e dimë shumë mirë që këtu kemi parë shifra tre shifrore të cilat e kishin numrin 2 në fillim, tash e kanë numrin 3 dhe kur kësaj përafërsisht, kapacitetit prej 318 megavat të B2 ia shtojmë edhe atë prej 277 të B1, i afrohet kapacitetit të gjithmbarshëm prej afër 600 megavatëve vetëm nga termocentrali Kosova B”, shtoi Kurti.

Më tej, Kurti theksoi se me investimet në këtë sistem janë kursyer edhe miliona euro në mirëmbajtje.

“Efiçienca e sistemit është ngritur ndjeshëm falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës që tash garanton prodhim më të madh dhe me më pak konsum energjie të brendshme. Konsumi i thëngjillit është ulur nga 1.3 ton në 1.15 ton për megavat orë, duke dëshmuar përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë. Për të njëjtën sasi të megavatëve orë të prodhuar, tash kemi ndotje më të ulët falë përdorimit më efikas të lëndëve djegëse. Jetëgjatësia e njësisë të shtuar për rreth 20 vjet, ndërkaq cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet. Një përmirësim që do të kursej miliona euro në mirëmbajtje dhe do të garantojë stabilitet më të madh afatgjatë”, u shpreh Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se investime të ngjashme do të bëhen edhe në bllokun B1 gjatë vitit të ardhshëm. Aktualisht, sipas saj, po prodhohet në dy blloqe të termocentralit “Kosova A” dhe dy blloqe të “Kosova B”.

“Arsyeja pse ka rënë prodhimi i KEK-ut gjatë gjashtë muajve të fundit ka qenë pikërisht sepse kanë qenë duke u bërë këto investime të cilat janë bërë për herë të parë prej pas më shumë se 40 vitesh prej kur funksionon termocentrali Kosova B dhe pikërisht kjo sakrificë afatshkurtër na sjell këto rezultate të cilat janë afatgjate në kuptim edhe të rritjes së prodhimit që është rritur për 35 megavat kapaciteti tashmë pas këtyre investimeve që janë bërë, edhe jetëgjatësinë e termocentralit edhe kohëzgjatjen që do të punojë termocentrali pa pasur nevojë për ta ndalur për remonte të gjata kapitale. Të gjitha këto do të thonë që siguria jonë e furnizimit është më e lartë, do të thotë që do të duhet të importojmë më pak dhe mund të eksportojmë më shumë dhe rezultatet tashmë po shihen, vetëm si rezultat i futjes në funksion të bllokut disa ditë para se që ka qenë e planifikuar, pesë ditë përpara, eksporti i KEK-ut gjatë asaj periudhe ka qenë dy milionë euro vetëm për atë pesë ditësh”, deklaroi Rizvanolli.