Kurti: Shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë vizituar termocentralin “Kosova B”, në përmbyllje të punimeve në rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë B2. Kurti deklaroi se modernizimi i kësaj njësie prodhuese “garanton stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin”. Ai shtoi se kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavat orë, për çka tha se sistemi është më efikas, më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë.
Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind.
“Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, shtoi kryeministri në detyrë.