Bien temperaturat, një pjesë e kryeqytetit me orë të tëra pa rrymë, KEDS: Ka prishje, s’ka reduktime!

Që nga orët e mëngjesit banorët e lagjës “Dardania” kanë mbetur pa rrymë. Teksa temperaturat kanë rënë dhe se ende nuk ka as ngrohje, disa lagje të Prishtinës tashmë nuk kanë as rrymë.
Banorët e asaj pjese qëndronin në kafiteritë e lagjës, për shkak të ftohtit, teksa pinin kafe nën zhurmën e gjeneratorëve.
Thonin se reduktimet filluan me rënien e temperaturave dhe se nëse mbesin pa rrymë, do ta kenë të vështirë t’i kalojnë këto ditë të ftohta.
Por zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Krasniqi thotë për “Indeksonline”, se nuk bëhet fjalë për reduktime, por se ka ndodhur një prishje në Nënstacionin 6, gjë që ka bërë që një pjesë e qendrës dhe lagjes Dardania të mbesin pa rrymë.
“Nuk behet fjalë për reduktime, por ka prishje në nënstacionin Prishtina 6. Shumica e daljeve janë kthyer në funksion, kanë mbetur vetëm dhe pak dalje të kthehen në funksion. Pra është çështje kohe. Shumë shpejtë pritet që të evitohen këto prishje dhe qytetarët e asaj pjesë së shpejti do të kenë rrymë“, tha Krasniqi./Indeksonline/