Rabiot pasi kuptoi se ndeshja Milan – Como do të luhet në Australi: Është krejtësisht çmenduri

Mesfushori i Milanit, Adrien Rabiot ka reaguar pasi ka kuptuar se ndeshja e Serie A ndaj Comos, do të zhvillohet në Australi.
Të hënën, UEFA ka pranuar kërkesën nga Milan dhe Como, në bashkëpunim me Lega Serie A, që ndeshja të zhvillohet në Australi në shkurt të vitit 2026, me arsyen se stadiumi “San Siro” do të jetë i zënë me ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2026, shkruan IndeksOnline.
Rabiot i cili aktualisht është i grumbulluar me kombëtaren franceze, ka thënë se ky vendim është një çmenduri.
“U habita kur mësova se AC Milan do të luajë një ndeshje të Serie A kundër Comos, në Australi.
Është krejtësisht çmenduri. Por këto janë marrëveshje financiare për t’i dhënë dukshmëri ligës, gjëra që janë përtej mundësive tona.
Ka shumë diskutime për oraret dhe shëndetin e lojtarëve, por e gjithë kjo duket vërtet absurde. Është çmenduri të udhëtosh kaq shumë kilometra për një ndeshje midis dy ekipeve italiane në Australi. Duhet të përshtatemi, si gjithmonë.”, ka thënë Rabiot në një intervistë me “Le Figaro”.
Ndeshja mes Milanit dhe Comos do të zhvillohet me datë 8 shkurt 2026./IndeksOnline/