I akuzuari në rastin e 400 kg kokainë: S’di ku ishte i destinuar narkotiku që u gjet në pakot e mishit

Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, edhe të enjten vazhdoi me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Faton Vrajolli, i cili tha se narkotiku që u gjet në pakot e mishit të porositur, nuk e di se për ku ishin destinuar.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas të akuzuarit, ardhja e kamionëve nga Porti i Durrësit ka pasur prej 10 deri 15 kamionë dhe se maksimuni i qëndrimit në port është 10 ditë dhe nëse qëndron ndonjë ditë më shumë duhet paguar ekstra.
Gjithashtu, Vrajolli tha se në të kaluarën ka pasur raste kur ka munguar një sasi e mallit apo kur malli ka arritur i dëmtuar dhe se për këtë rrethanë gjithmonë është njoftuar furnitori, duke kërkuar nga të njëjtit kompensimin e shumës.
Vrajolli sqaroi se kompania MC FOOD ka seli edhe në Shqipëri dhe se Izet Sheqiri është bashkëpronar me një person që e ka emrin Bledar.
Lidhur me këtë emër, prokurori kërkoi të konfirmojë nëse është personi Bledar Habilaj, e që e konfirmoii akuzuari Vrajolli.
Por, për këtë pati vërejtje mbrojtësi i Izet Sheqirit, avokati Florent Latifaj, duke kërkuar që të mos manipulohet pasi që mbiemri i tij është Habili. Për këtë, avokati Latifaj tha se do e sjellë edhe dëshminë, ndërkaq prokurori Krasniqi sqaroi se pyetjet janë të bazuara në procesverbalin e marrjes së të akuzuarit Vrajolli në pyetje në prokurori.
Më pas, seanca u ndërpre për të vijuar në sesionin e pasdites me mbrojtjen e të akuzuarit Vrajolli nëse ka pyetje trupi gjykues në drejtim të tij, e më pas nis mbrojtja e të akuzuarit Izet Sheqiri.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si edhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë euro. /