Nga autobusët, te transformimi i transportit urban e deri te kamerat në qytet – Përparim Rama flet për zhbllokimin e trafikut

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për zhbllokimin e trafikut në Prishtinë.
Rama ka përmendur unazën e brendshme dhe të jashtme, si dhe transformimin e transportit urban.
“Komunikacioni është problem kompleks, të cilit i duhet analizë e thellë për me kuptu problemin në thelb edhe me gjet zgjidhjen. E kemi analizuar e kemi kuptuar, dhe kemi kriju shumë propozime që janë bërë realitet. Unaza e Prishtinës është projekt kryesor, se duhet me ndodh sa më parë. Kjo është një. Unaza e brendshme është poashtu sistemi që është në përfundim e sipër. Reforma në transportin urban që tashmë kemi bërë, kemi unifikuar transportin publik e privat, dhe e thërrasim TRIP, ku deri më tash ke pasur biletë e ndame, e ki një biletë tërëditore. Kemi nënshkruar 28 kontrata me sektorin privat, dhe kemi 91 autobusë që duhet me ardh deri në fund të vitit. Kemi edhe 30 autobusë që janë të nënshkruar me BERZH, pra 121 autobusë, janë duke ardhur. Kemi nënshkruar kontratën me dy kompani për TRAM-in elektrik, autobus më i gjatë me 300+ qytetarë. Edhe kjo është pjesë e sistemit”, tha ai në RTV Dukagjini.
Rama prezantoi projektin e Park and Ride, gjithashtu edhe instalimin e kamerave në kryeqytet, dhe marrëveshjet me komunat afër Prishtinës.
“Tri pikat Park and Ride, jemi duke zhvillu edhe dy pika të tjera që mundëson që qytetarët nga komunat e tjera, me u ndal e me marrë biletën pa pare. Prej 1 janarit 2026, po e zgjerojmë në TRIM, transporti i ri metropolitan, kemi marrëveshje me disa prej komunave si Obiliqi, e Lipjani, Podujevën e Drenasin ndoshta, që me zgjeru transportin e ri metropolitan në gjitha këto pjesë. Të gjitha lagjet kanë autobus, të gjitha fshatrat kanë autobus, iu kemi ofruar edhe qytetarëve nga qytetetet e tjera kur vijnë në Prishtinë, marrin biletë falas në kryeqytet. E kemi edhe smart city, monitorojmë numrin e hyrjeve, kemi instaluar edhe 150 kamera në pjesë të ndryshme. Nëse qytetarët tash si pjesë me monitoru e rregullu transportin urban, nëse këta që jetojnë në qytete tjera, nuk janë prishtinali, e vijnë me biletë pa pare, prap vendosin me hy me makinë, kemi me shtu tarifa shtesë”, tha Përparim Rama.