Historia e zgjedhjeve në Kosovë: Për 25 vite mbi 60 mijë persona kandiduan për deputetë, kryetarë e asambleistë

Historia e zgjedhjeve në Kosovën e lirë fillon në vitin 2000, në kohën kur u organizuan zgjedhjet e para.
Më 28 tetor të atij viti u mbajtën zgjedhjet për kuvende komunale, duke shënuar nisjen e një procesi të gjatë për ndërtimin e institucioneve të një vendi që po përgatitej dalëngadalë të bëhej shtet.
Proceset zgjedhore në Kosovë ndahen në dy etapa të rëndësishme historike: zgjedhjet para dhe pas pavarësisë së shpallur në vitin 2008.
Që nga viti 2000 e deri tani, në vitin 2025, në Kosovë janë mbajtur me dhjetëra procese zgjedhore në nivel vendi apo të pjesshme.
Vetëm për Kuvendin e Kosovës janë organizuar 9 procese zgjedhore (2001, 2004, 2007, 2010, 2014, 2017, 2019, 2021 dhe 2025), ndërkaq për kuvende komunale 8 të tilla (2000, 2002, 2004, 2009, 2013, 2021 dhe 2025).
Zgjedhjet e drejtpërdrejta për kryetar të komunave filluan të mbaheshin në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë janë organizuar 6 procese të tilla zgjedhore (2007, 2009, 2013, 2017, 2021 dhe 2025).
Në një intervistë për EkonomiaOnline, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka prezantuar të dhëna vetëm për numrin e kandidatëve që janë certifikuar përgjatë këtyre 25 vjetëve në këto 23 procese zgjedhore në nivel vendi, pa përfshirë kandidatët e certifikuar nga zgjedhjet e pjesshme apo të jashtëzakonshme në ndonjë komunë të caktuar.
“Nëse e shqyrtojmë aspektin historik të proceseve zgjedhore në Kosovë, mund të theksojmë se gjatë këtyre 25 viteve ato kanë përfshirë drejtpërdrejt një numër të madh qytetarësh. Sipas statistikave, më shumë se 60 mijë persona kanë marrë pjesë në garat zgjedhore, si kandidatët për deputetë, kryetarë komunash, dhe anëtarë të kuvendeve komunale. Sigurisht se në këtë shifër përfshihen edhe personat që kanë kandiduar më shumë se një herë, por që janë certifikuar për më shmë se një proces zgjedhor”, tha Elezi.
Sipas tij, numri më i madh i kandidatëve të certifikuar i takojnë zgjedhjeve për kuvende komunale, për shkak të numrit të madh të ulëseve për të cilat është garuar dhe që ka variuar nga 900 deri në 1,000.
“Nga numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë garuar gjatë këtyre 25 vjetëve, më i madhi prej tyre, rreth 49 mijë, ka qenë i certifikuar në zgjedhjet për kuvendet komunale. Gjatë 9 proceseve zgjedhore për Kuvendin e Kosovës janë certifikuar më shumë se 10 mijë kandidatë, ndërsa për 6 procese të tjera zgjedhore për kryetarë komunash janë certifikuar mbi 1,200 kandidatë”, tha Elezi.
Të dhënat e prezantuara nga KQZ-ja, të kandidatëve të certifikuar ndërvite, tregojnë për dallimin e thellë në mes të dy gjinive.
Gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, nga numri i përgjithshëm i kandidatëve, mbi 19 mijë femra dhe mbi 41 mijë meshkuj janë certifikuar nga KQZ-ja për pjesëmarrje në proceset zgjedhore.
Vetëm për zgjedhjet lokale 2025, KQZ-ja ka certifikuar 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për kuvende komunale.
Nga numri i përgjithshëm, vetëm për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë (185 burra dhe 20 gra), ndërkaq, në zgjedhjet për kuvende komunale janë certifikuar 5,419 kandidatë (3,395 burra dhe 2,024 gra).