75 Mall Live Search
10:14 / E Premte, 10 Tetor 2025 / KV

Prokuroria ka bërë kërkesë për paraburgim të dyshuarit për spiunazh

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”.

Ky njoftim është publikuar në faqen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës një ditë pasi Sheholli i arrestua në Prishtinë, në një aksion të policisë, prokurorisë të ndihmuar edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar të enjten se pas hetimeve disamujore është arrestuar Fatmir Sheholi nën dyshimin për spiunazh.

“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”. I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së”, njofton PSRK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Bëhet e ditur se operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës pë Inteligjencë.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale. Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e procedurës penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, njofton prokuroria.