75 Mall Live Search
18:05 / E Premte, 10 Tetor 2025 / F.R

Hajrulla Çeku: Kartela dhe Ndërmarrja e Lagjes, modeli i ri i qeverisjes me qytetarin

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar dy prej zotimeve më të rëndësishme të programit të tij: Kartela e Lagjes dhe Ndërmarrja e Lagjes, mekanizma që e bëjnë qytetarin pjesë të drejtpërdrejtë të identifikimit, planifikimit dhe zgjidhjes së problemeve të lagjës ku jeton.

Kartela e Lagjes do të jetë një dokument i përbashkët i banorëve, ku regjistrohen të gjitha nevojat përmes 20 indikatorëve të shërbimeve bazike, nga ndriçimi publik e ujësjellësi, deri te gjelbërimi, parkingjet dhe siguria. Ky mekanizëm e kthen banorin në bashkëplanifikues të lagjes së tij.

Ndërmarrja e Lagjes do të shërbejë si pika e parë ku qytetarët mund të bëjnë aplikime, ankesa si dhe kërkesat e tyre për lagjen. E njëjta qasje do të zbatohet edhe për fshatrat, duke e bërë shërbimin komunal më të afërt, më të shpejtë dhe më efikas.

Çeku, theksoi se përmes këtij modeli, çdo lagje dhe çdo fshat do t’i ketë të garantuara shërbimet bazike, si dhe një rrjet më të gjerë të njësive të zjarrfikësve për reagim të shpejtë.

“Kartela është zëri i qytetarit, Ndërmarrja është dora që i zgjidh problemet. Ky është partneriteti i ri që do ta kthejë lagjen në qendër të qeverisjes komunale,” tha Çeku.

Sipas tij, vetëm kështu Prishtina bëhet një qytet që funksionon, aty ku banori jo vetëm jeton, por edhe vendos për lagjen e vet.