75 Mall Live Search
19:43 / E Premte, 10 Tetor 2025 / F.R

LDK në Junik, e merr me vete PDK-në dy ditë para zgjedhjeve

Kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se LDK dega në Junik dhe PDK dega në Junik kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje në mandatin 2025-2029.

Shehu përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut ka vendosur të tërhiqet nga gara dhe të mbështesë zyrtarisht Shehu për Kryetar të Komunës së Junikut, shkruan IndeksOnline.

Në këtë marrëveshje politike, është dakorduar që strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK për Kryetar të Komunës së Junikut.

Tutje Shehu ka ftuar kundëkandidatët tjerë që të tërhiqen nga gara për kryetar dhe të bashkohen me vizionin dhe programin tonë për të mirën e përgjithshme të Junikut.

Postimi i plotë:

Sot, Juniku dëshmoi se përballë interesit të qytetarëve, bashkimi është gjithmonë rruga e drejtë! LDK dega në Junik dhe PDK dega në Junik kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje në mandatin 2025-2029.

Në frymën e bashkëpunimit, respektit dhe vizionit për të ardhmen e komunës sonë, kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut ka vendosur të tërhiqet nga gara dhe të mbështesë zyrtarisht kandidatin e LDK (Ruzhdi Shehu) për Kryetar të Komunës së Junikut. Në këtë marrëveshje politike, është dakorduar që strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK (Ruzhdi Shehu) për Kryetar të Komunës së Junikut.

Ky është një hap i guximshëm por mbi të gjitha, në dobi të Junikut dhe qytetarëve. Ky bashkim është shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë e bashkimit, jo e ndarjes. Ky është momenti kur të gjithë ne bashkohemi për një qëllim të përbashkët: zhvillimin, mirëqenien dhe dinjitetin e Junikut.

Të dielën e 12 tetorit, fitorja e LDK është madhështore dhe e pashmangshme. Mirëpo kjo nuk do të jetë vetëm fitore e LDK-së. Të dielën do të fitoj Juniku. Të dielën do të fitojnë të gjithë junikasit pa dallim. Prandaj sot, ky bashkim i energjive, i ideve dhe i përkushtimit për qytetarët tanë, është garanci se Juniku do të ecë përpara më fuqishëm se kurrë.

Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjithë junikasve që jetojnë në Junik dhe në mërgatë, të cilët me përkrahjen e tyre të vazhdueshme e kanë vulosur përfundimisht fitoren tonë pa balotazh. Falënderojmë po ashtu strukturat e degës së PDK në Junik të cilët sot me këtë akt të përgjegjshëm dhe të guximshëm, unanimisht e kanë rikonfirmuar fitoren tonë dhe mandatin e dytë qeverisës. Padyshim që kjo është politika e së ardhmes: bashkë për qytetarët e Junikut.

Në këtë frymë, ftojmë edhe kundëkandidatët tjerë që të tërhiqen nga gara për kryetar dhe të bashkohen me vizionin dhe programin tonë për të mirën e përgjithshme të Junikut. Siç e kemi dëshmuar në mandatin tonë të parë, ne do të qeverisim për të gjithë junikasit pa dallim të bindjeve politike, por vetëm në interesin e përgjithshëm të qytetarëve me ndershmëri dhe duar të pastërta.

Të dielën, le ta vulosim këtë bashkim historik me votën tonë. Le ta çojmë Junikun drejt një fitoreje të pastër, të dinjitetshme dhe të madhe për të gjithë.

Vazhdojmë +4 pa balotazh.