Sfilata, stil dhe tension/ Meghan Markle bën bujë në Paris Fashion Week

Meghan Markle ka bërë debutimin e saj të shumëpërfolur në Javën e Modës në Paris, duke ndjekur gjurmët e disa anëtarëve të mëparshëm të familjes mbretërore që kanë marrë pjesë në ngjarje të ngjashme.
Dukesha e Sussex mori pjesë në sfilatën e markës Balenciaga për koleksionin pranverë/verë 2026, duke mbështetur mikun e saj të ngushtë, stilistin Pierpaolo Piccioli, transmeton IndeksOnline.
Pjesëmarrja e saj tërhoqi vëmendjen për disa arsye – që nga veshja e diskutueshme, e deri tek një moment i sikletshëm me ish-kryeredaktoren e Vogue, Anna Wintour. Ish-korrespondentja mbretërore e BBC, Jennie Bond, ka komentuar këtë paraqitje, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në drejtim të përfshirjes së Meghan-it në botën e modës.

Bond vë në dukje se kjo është vizita e parë e Meghan në Evropë pas dy vitesh, dhe se pranimi i saj në një event kaq të profilit të lartë mund të shënojë fillimin e një etape të re për Dukeshën – këtë herë si një figurë aktive në industrinë e modës.
Meghan ka shprehur shpesh dashurinë e saj për stilin dhe modën, duke u shndërruar në një ikonë stili për miliona ndjekës anembanë botës. Për shumë analistë mbretërorë, kjo paraqitje është më shumë sesa thjesht një vizitë në Paris – ajo sinjalizon një kthesë të re në rrugëtimin e saj publik.