Sa kandidatë garojnë në zgjedhjet e sotme?

Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur zyrtarisht, me rastin e zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprakisht, duke shpërndarë materialin zgjedhor dhe duke u siguruar se çdo gjë është në rregull.
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5 mijë e 626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Të drejt vote në këto zgjedhje lokale kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 shtetas të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
910 qendra të votimit të rregullt janë në dispozicion për të gjithë qytetarët, teksa 38 sosh janë për votim me kusht.