75 Mall Live Search
08:34 / E Hënë, 13 Tetor 2025 / S Z

21 komuna zgjedhin kryetarët në rundin e parë, 17 të tjera shkojnë në balotazh

Nga 38 komunat e Kosovës, 21 kanë përmbyllur garën për kryetarë që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), disa nga fitoret janë shënuar në komunat e mëdha si në Ferizaj, Agim Aliu nga PDK-ja ka fituar me mbi 56% të votave, duke siguruar mandatin e dytë.

Në Lipjan, Imri Ahmeti nga LDK-ja ka fituar pa balotazh me mbi 51%.

Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga LVV-ja ka siguruar mbi 53% të votave.

Sami Lushtaku nga PDK-ja ka arritur një fitore bindëse në Skenderaj me mbi 83% të votave.

Në Kamenicë, Kadri Rahimaj i LVV-së ka fituar me mbi 50%.

Ilir Ferati i LDK-së ka fituar në Istog me 58% të votave.

Në Shtime, Qemajl Aliu i LVV-së ka siguruar mandatin e dytë me mbi 50%.

Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate ka fituar Malishevën me mbi 53%.

Në Deçan, Bashkim Ramosaj i AAK-së ka fituar me mbi 51%.

Në Drenas, Ramiz Lladrovci, nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, ka fituar me mbi 52% të votave.

Mehmet Ballazi i PDK-së ka fituar në Hanin e Elezit me mbi 50%.

Në Mamushë, Abdulhadi Krasniq i KDTP-së ka siguruar fitore me mbi 50% të votave.

Ndërsa në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok – fitues janë kandidatët e Listës Serbe, parti kjo që ka siguruar fitore edhe në Novobërdë, Shterpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Në 17 komuna të tjera gara do të vazhdojë në rundin e dytë, që do të mbahet, më 9 nëntor 2025.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votime në nivel vendi ka qenë rreth 39%.