Procesi i votimeve, Kurti: Gjilanin mund ta marrim pa balotazh

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti, mëngjesin e sotëm ka mbajtur një konferencë për media.
Kurti tha se VV-ja po dëshmon rritje të pandalshme dhe të vazhdueshme, gjë që sipas tij u dëshmua dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura një ditë më parë.
Ai ka thënë se VV-ja ka fituar pa balotazh në tri komuna, ndërsa me votat e diasporës VV-ja mund ta fitojë pa balotazh edhe Gjilanin.
“Këto vite kanë dëshmuar rritje të pandalshme dhe të vazhdueshme dhe në zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet dje sipas rezultateve VV-ja ka fituar në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. Me votat nga diaspora mund të dalë që kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh”, tha Kurti.
Këto rezultate sipas Kurtit tregojnë qartë që VV jo vetëm që ka ruajtur rritjen, por është ngritur si forca kryesore politike në Kosovë dhe në nivelin lokal.
“Kjo është dhurata më e çmueshme, që kemi marrë nga populli i Kosovës në këtë 20 vjetor të Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.
Teksa ka falenderuar qytetarët për maturinë dhe qetësinë e treguar dje në procesin zgjedhor, tha se nga sot do t’i përvishen punës për balotazh.
“Nga sot ne i përvishemi punës për balotazh. Synimi ynë është i qartë, që kandidatët tanë të fitojnë në këto komuna dhe të vazhdojë qeverisja e mirë, të cilët qytetarët e meritojnë”, ka thënë Kurti./Indeksonline/.
