1729 mamografi në një javë në njësitë stacionare në Shqipëri

Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, bën me dije se gjatë një jave janë kryer 1729 mamografi në njësitë stacionare në të gjithë Shqipërinë.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga OSHKSH, nga data 6-12 tetor 2025, janë kryer gjithsej 1729 mamografi që ofrohen falas në poliklinikat dhe spitalet në të gjithë vendin, si pjesë e programit të parandalimit të kancerit të gjirit.
OSHKSH cilëson në njoftim, se qendra shëndetësore më me shumë mamografi të kryera, është ajo Nr.3 në kryeqytet, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.
Tetori rozë është muaji që shërben për të informuar dhe sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjes, që vazhdon të jetë një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në botë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, përmes mamografive stacionare apo njësive lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.
Gjithashtu, MSHMS ka mundësuar që nëpërmjet portalit “e-Albania” çdo grua apo vajzë të vendos për orarin dhe vendin e kryerjes së mamografisë duke planifikuar më herët atë.