Trump sinjalizon dërgimin e raketave tomahawk në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë që SHBA të dërgojë raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk, në Ukrainë, një hap që do të shënonte përshkallëzim të ri në luftën kundër Rusisë.
Duke folur me gazetarët në avionin presidencial Air Force One, Trump u pyet nëse do t’ia ofronte këto raketa Kievit. Ai u përgjigj shkurt: “Do të shohim” mundet edhe po”.
Sipas tij, përdorimi i Tomahawk-ëve do të ishte “një hap i ri agresioni” në këtë konflikt. Deklarata e tij erdhi pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar ndihmë shtesë për të forcuar aftësitë mbrojtëse dhe për të kryer kundërsulme ndaj forcave ruse.
Moska ka paralajmëruar vazhdimisht Uashingtonin se furnizimi i Ukrainës me raketa me rreze të gjatë do të shkaktonte përshkallëzim serioz dhe do të dëmtonte marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti këtë zhvillim “jashtëzakonisht shqetësues”, duke paralajmëruar se Moska nuk mund të dijë nëse raketat do të bartin ngarkesë bërthamore.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i njohur për retorikën e tij të ashpër, reagoi menjëherë në rrjetet sociale: “Dërgimi i këtyre raketave mund të përfundojë keq për të gjithë, dhe mbi të gjitha, për vetë Trumpin”.
Që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022, Ukraina ka kërkuar në mënyrë të përsëritur armë me rreze të gjatë për të kundërshtuar sulmet që kanë goditur qytetet e saj dhe infrastrukturën energjetike.
Diskutimet e fundit mes Trump dhe Zelensky-t kanë përfshirë edhe forcimin e mbrojtjes ajrore përpara dimrit.