Idrizi i PDK-së i falënderon vushtrriasit dhe e uron Mehollin e LVV-së për balotazhin: Tani do të përballemi me projekte

Ndërsa do të duhet të përgatietet edhe për një tjetër rund votimi, Ferit Idrizi i PDK-së që garoi dje për të marrë edhe një mandat në krye të Vushtrrisë, i ka falënderuar qytetarët për “besimin e fuqishëm” që tha se ka marrë “për vazhdimin e projekteve”.
Ai tha në Kosova Live në T7 se do të jetë “kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim”.
Idrizi e uroi kundërkandidatin e tij, Sylejman Mehollin e LVV-së, i cili doli i dyti në garë.
“Unë e uroj edhe zotin Meholli që ka hy në balotazh dhe siç e do rregulli, rendi, siç e përcakton legjislacioni për zgjedhje, ne do të jemi në balotazh dhe tani do të përballemi me projekte, me programe që do t’ua ofrojmë qytetarëve”, tha ai.
Idrizi, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka marrë 38,32% të votave, ndërsa Meholli 26,10%.