Zgjedhjet Lokale 2025 – një mësim i ri për të gjitha partitë politike

Shkruan: Jetmira Rexhepi
Çdo reformë sjell risi, dhe të tilla ishin edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve, të cilat janë për çdo lavdatë.
Partitë politike, përmes organizimit të tyre të brendshëm dhe aty-këtu duke ristrukturuar degët lokale, dhanë shembull të mirë edhe për qytetarët e Kosovës në secilën komunë.
Reformat i bëjnë mirë ndryshimeve politike, sepse sjellin rezultate të dukshme, ndërsa domosdoshmëria për sukses është nevojë për gjetjen e një qëllimi të qartë – se çfarë duam t’u ofrojmë qytetarëve.
Pa dyshim, perspektiva politike e secilës parti në Kosovë varet nga vizioni i qartë dhe riorganizimi i strukturave partiake, për t’u përshtatur me rrugëtimin e tyre politik.
Çdo ndryshim ka koston e vet. Dikush largohet e dikush tërhiqet nga vullneti individual, duke e parë kontributin politik si nevojë të kohës. Dhe duhet ta pranojmë një gjë: askush nuk mund të qëndrojë gjithë jetën në politikë. Politika kërkon kontribut të vazhdueshëm, konsistencë, ide dhe vizion të qartë. Të gjitha këto elemente kërkojnë forcë morale dhe intelektuale për t’u përmbushur.
Andaj, zgjedhjet lokale 2025 na dhanë një mesazh të qartë edhe për zgjedhjet nacionale që po afrohen – dhe pak a shumë, drejtimi tashmë dihet.
Në Mitrovicë, gara zhvillohej mes dy kandidatëve të rinj, me bagazhe të ndryshme profesionale, të cilët dhanë shembull të pjekurisë qytetare. Megjithatë, dallimi ishte i qartë: Arian Tahiri nga PDK dha shembull konkret se si duhet të prezantohet partia, kultura dhe qyteti prej nga vjen.
I guximshëm në fjalën e tij, ai dha shembull për të gjithë të rinjtë që synojnë politikën: suksesi nuk arrihet përmes arrogancës, por përmes maturisë, qëndrimit dinjitoz, vizionit politik dhe programit konkret se si mund të ndryshohet vendi përmes ideve të prekshme dhe të dobishme për qytetarët e Mitrovicës.
I tillë në prezantim ishte edhe kryetari i ri i zgjedhur i Ferizajt, zotëri Agim Aliu.
Fitorja e tij është e merituar, ngase kryetari Aliu ka ndihmuar zhvillimin e Ferizajt përmes veprimeve dhe punës konkrete të ekipit të tij, si dhe angazhimit të palodhur për ta bërë qytetin një mini – metropol të Kosovës.
Për më tepër, kryetari i Prizrenit është model i përfaqësimit të identitetit politik dhe kulturës së Partisë Demokratike të Kosovës, një qasje që reflektohet edhe te kandidates e saj.
Zgjedhjet Lokale 2025, mësim i ri…
Se jemi një popull i mençur, kjo nuk diskutohet.
Se dimë të vlerësojmë dhe të ndëshkojmë të keqen, edhe këtë e bëjmë.
Pasqyra më e mirë për suksesin në zgjedhjet nacionale janë gjithmonë zgjedhjet lokale.
Sot është dëshmuar qartë se organizimi i një partie ndikon drejtpërdrejt si në cilësinë e kandidatëve të saj, ashtu edhe në suksesin që ata arrijnë.
Këto zgjedhje kanë dhënë një mësim të qartë:
gjuha e përdorur tash e disa vite ndaj figurave të ndryshme politike, e ushqyer kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, duket se ka marrë fund.
Mësimi dhe mesazhi më i mirë që dolën nga këto zgjedhje janë të qarta: askush nuk fiton duke qenë arrogant. Në këto zgjedhje ka triumfuar puna, dinjiteti dhe profesionalizmi.
Agim Aliu, me vizionin dhe përkushtimin e tij, e ka shndërruar Ferizajn në një mini-metropol modern e të zhvilluar, duke dëshmuar se zhvillimi nuk arrihet me fjalë, por me punë të palodhshme.
Ndërsa Arian Tahiri, një djalë i ri në politikë, i tregoi si opinionit ashtu edhe Faton Pecit se arroganca nuk mund të fitojë ndaj kulturës, edukatës dhe respektit ndaj qytetarëve.
Në Prishtinë, ende nuk kemi një rezultat përfundimtar, pasi gara është tepër e ngushtë ndërmjet tre kandidatëve: Përparim Rama, Hajrullah Çeku dhe Uran Ismaili.
Megjithatë, paraqitjet e tyre në media meritojnë çdo lavdatë.
Të tre kandidatët sfiduan njëri-tjetrin me pyetje e qëndrime të argumentuara, por në fund janë qytetarët ata që japin vlerësimin përfundimtar përmes votës.
Hajrullah Çeku ka bagazh politik dhe përvojë nga angazhimet e tij në Shqipëri. Si ministër i Kulturës, në paraqitjet e tij të pakta gjatë këtyre zgjedhjeve lokale, ai ka ditur t’i mbulojë mangësitë përmes argumenteve të ftohta, shpeshherë duke mbetur disi indiferent, por gjithnjë i qetë dhe me paraqitje dinjitoze prej qytetari prizrenas.
Përparim Rama, një “metropolitano” me stil londinez, plot entuziazëm dhe afërsi me qytetarët, si arkitekt me përvojë të gjatë, diti të ruajë qetësinë, por shpesh shmangu pyetjet konkrete përmes një gjuhe politike të kujdesshme.
Ndërsa Uran Ismaili, i njohur për punën dhe vullnetin e madh, mbetet i afërt me qytetarët dhe i përkushtuar ndaj punës ka dhenë rezultate të dukshme dhe të vlerësuara si ish Ministër i Shëndetesisë. Ai flet shkurt, konkretisht, dhe vendos punën para fjalëve. Me një fjalë, fitues i dinjitetshëm dhe që e ktheu Partinë Demokratike të Kosoves në një rezultatë që nuk ka qene asnjëhere dhe për më teper qe plani i tij është shumë konkret e meriton të jete i pari i kryeqytetit.
Sigurisht, kjo laramani politike i bën mirë demokracisë ngase pjesëmarrja aktive në politikë kërkon përgjegjësi dhe vendosmëri, ndërsa gara për të qenë i pari nuk e përcakton suksesin, atë e përcakton konsistenca dhe përkushtimi për ndryshim të vërtetë në Prishtinë, me qëllime të qarta.
Partia Demokratike e Kosovës, që para pak ditësh festoi 26-vjetorin e saj, po dëshmon se di të ecë me kohën dhe të qëndrojë pranë qytetarëve.
PDK-ja po jep shembullin jo vetëm nëpërmjet strukturave të saj funksionale, që dinë të ruajnë votën e qytetarit dhe të anëtarit të saj, por edhe përmes mënyrës se si ndërtohet besimi dhe si punohet me përgjegjësi.
Në çdo etapë, kjo parti ka nxjerrë personalitete me dinjitet, angazhim dhe përkushtim – njerëz të hapur për ndryshim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Lista e PDK-së për Asamblenë e Prishtinës është ndër më cilësoret: kandidatë profesionistë, aktivë dhe me ide konkrete për zhvillimin e kryeqytetit.
Këto zgjedhje treguan pjekurinë dhe reformimin e partisë, e cila po u jep hapësirë të rinjve me ide të qarta dhe vizion për të ardhmen.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, si një parti që ende mban imazhin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka nevojë për ndryshime, hapësirë të re politike dhe një kauzë të re përmes së cilës mund të rikthehet në garë me qëllime të qarta politike.
Sa për Lëvizjen Vetëvendosje, reformat e thella politike do të shëronin ambicien e pakontrolluar të liderit të saj, ndërsa si strukturë organizative ka nevojë për më shumë ide, organizim dhe qasje bashkëpunuesë, sepse nuk mund të fitosh duke fyer dinjitetin e tjetrit.
Në fund, suksesi është i pashmangshëm kur ke njerëz që punojnë me dinjitet dhe i shërbejnë qytetarëve me zemër.