75 Mall Live Search
11:26 / E Martë, 14 Tetor 2025 / A

Ish-deputeti i Kosovës rrahet brutalisht, nxirret nga vetura dhe goditet me shqelma nga “grupi i Qazim Rrahmanit”

Një incident i rëndë ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, më 12 tetor 2025, rreth orës 16:00, në fshatin Dubravë të Ferizajt. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Danush Ademi, është sulmuar fizikisht nga persona të dyshuar të lidhur me partinë rivale.

Indeksonline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet momenti kur Ademi shkon drejt veturës së tij, por rruga i bllokohet nga disa persona, të cilët, sipas tij, janë të afërt me politikanin rival, Qazim Rrahmani nga partia PDAK.

Në një deklaratë për Indeksonline, Danush Ademi ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi.

“Kam qenë në shtab, njerëzit e mi kanë qenë në terren. Kam dalë prej veturës për të marrë gruan. Ata kanë tentuar me dhunë të më nxjerrin prej veturës. Qazim Rrahmani, Sylejman, Benjamin, Irfan, Enis Rrahmani dhe Agim Rrahmani… Kur kam dalë prej veturës më kanë sulmuar. Rasti është paraqitur në Polici. Kanë qenë edhe të armatosur. Arsyeja e sulmit ka qenë se ne kemi qenë më përpara me vota.”

Danush Ademi ka qenë kandidat për kryetar komune nga partia Iniciativa URA – Unioni Republikan i Ashkalinjve, ndërsa Qazim Rrahmani ka garuar me Partinë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës (PDAK).

Danush Ademi, ish-deputet
Qazim Rrahmani, i dyshuari me grupin e tij

Reagimi i Policisë

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin përmes një njoftimi zyrtar:

“Me datën 12.10.2025, rreth orës 16:30, në fshatin Dubravë, Komuna e Ferizajt, Policia ka shoqëruar në stacionin policor një person të dyshuar, mashkull kosovar, pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka sulmuar fizikisht një tjetër person, ankuesin – mashkull kosovar. Me urdhër të prokurorit të rastit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është cilësuar ‘Sulm’.”

Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa tensionet në këtë komunë duket se nuk kanë përfunduar as pas përfundimit të procesit zgjedhor.