“Fast” prangos 14 persona në Elbasan, i gjenden armë e uniforma policie (VIDEO)

Policia e Elbasanit ka prangosur 14 persona të cilëve iu gjetën armë, municione, uniforma policie, thika dhe sende të tjera.
Kapja e tyre u bë në kuadër të operacionit policor i koduar “Fast”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin e shtetasit T. Z., në fshatin Bradashesh, ku ndodheshin këta 14 shtetas. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u gjetën 3 armë zjarri dhe municion luftarak”. Në vijim, gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën elektroshot (dorezë neuroparalizuese), 4 radio si të Policisë, jelek me mbishkrimin “Policia”, send në formë pistolete, sinjalizues (send metalik në formë pistolete), thikë, shkop metalik, shuma parash, 4 automjete , 13 celularë dhe DVR”, njofton Policia e Shtetit.
Forcat e rendit njoftojnë se po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej të arrestuarve
“Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të kryera në bashkëpunim”, thuhet në mes tjerash në njoftim.