75 Mall Live Search
14:13 / E Martë, 14 Tetor 2025 / S Z

KPM publikon raportin preliminar për monitorim të mediave gjatë zgjedhjeve

Komisioni i Pavarur i Mediave ka bërë monitorimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve të Lokale 2025. Sipas këtij komisioni monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së ‘OSHMA-ve’ në pajtim me Ligjin e zgjedhjeve për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore.

Në komunikatën për medie KPM bën të ditur se procesi i monitorimit është realizuar përgjatë tërë periudhës së fushatës zgjedhore, nga 13 shtator 2025 deri më 12 tetor 2025. Për këtë qëllim, janë monitoruar ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale (OSHMA) me transmetim tokësor me mbulim nacional, regjional e lokal si dhe OSHMA-të  me program gjeneralistik të cilët  operojnë përmes operatorëve të shpërndarjes.

 Monitorimi është bërë për programet e transmetuara nga ora 12:00 deri më 24:00. Në periudhën zgjedhore, gjatë monitorimit të OSHMA-ve janë aplikuar dispozitat ligjore të parapara në aktet nënligjore të KPM-së sa i përket qasjes së drejtë dhe të paanshme, mbrojtjes së fëmijëve dhe komunikimeve komerciale audiovizuele, të parapara në: Rregulloren KPM-2024/03 për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore; Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM2016/035; Rregulloren KPM 2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuele, si dhe Rregulloren KPM 2023/02 për Komunikimet Komerciale Audio dhe Audiovizuele”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se gjatë monitorimit janë vlerësuar “paanshmëria në raportim, hapësira e ofruar për SCP-të, gjuha e  përdorur si dhe pajtueshmëria me obligimet që dalin nga Kreu VIII të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

KPM vlerëson se në përgjithësi, mediat e përfshira në monitorim kanë ofruar hapësirë dhe kanë mbuluar aktivitetet zgjedhore të subjekteve të caktuara politike.

Megjithatë, gjatë periudhës monitoruese, janë gjetur shkelje si: mosidentifikim i reklamave politike, përdorimi i gjuhës fyese dhe nxitëse, përfshirje e fëmijëve në spote politike, mosrespektim i heshtjes zgjedhore, sponsorizim i paautorizuar i emisioneve politike, publikimi i sondazheve pa përmbushur kriteret dhe nxitje e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare

Në fund të raportit janë listuar konkluzione të shkurta, të cilat do të rishikohen në hartimin e raportit final.

“KPM, përmes Zyrës Ekzekutive, ka përmbushur mandatin për monitorim, vlerësim dhe reagim ndaj shkeljeve gjatë fushatës zgjedhore, përkundër angazhimit të KPM-së për t’i njoftuar me kohë mediat dhe përvojës se mediave në proceset zgjedhore, ka pasur një numër të konsiderueshëm të shkeljeve të ligjit dhe rregulloreve të KPM-së nga OSHMA-të, për çka janë ndërmarrë veprime përmes njoftimeve për shkelje dhe adresimit institucional,  një pjesë e mediave kanë dështuar të sigurojnë trajtim të barabartë për subjektet garuese”, thuhet në konkluzionet e KPM-së.

Këtu mund të gjeni Raportin preliminar e monitorimit të mediave gjatë fushatës së zgjedhjeve të lokale 2025.