75 Mall Live Search
16:09 / E Martë, 14 Tetor 2025 / F.R

Policia në Prishtinë shqipton mbi 300 gjoba në trafik dhe konfiskon 15 patentë-shoferë

Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se Njësiti i Trafikut Rajonal dhe Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit po vazhdojnë me kontrollet e shtuara në komunikacion, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.

Sipas njoftimit, gjatë periudhës 06-14 tetor, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 316 gjoba për kundërvajtje të ndryshme që lidhen me mosrespektimin e rregullave të komunikacionit rrugor, si dhe kanë konfiskuar 15 patentë-shoferë.

Kundërvajtjet më të shpeshta të evidentuara janë: Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit – 72 gjoba, xhama të errët (vendosja e folies apo materialeve tjera të paautorizuara) – 31 gjoba, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes – 13 gjoba, si dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.

“Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për një mjedis më të sigurt rrugor”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se angazhimet për sigurinë dhe disiplinën në trafik do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe rajonit të Prishtinës.