75 Mall Live Search
16:10 / E Martë, 14 Tetor 2025 / MSH

Gjakovë: Dërgohet në paraburgim i dyshuari që sulmoi një polic

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaji të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës, “Më datën 13.10.2025, rreth orës 07:45, në rrugën “Bardhyl Qaushi”, i pandehuri, me dashje, seriozisht kanos dhe më pas e sulmon fizikisht zyrtarin policor në lidhje me punën e tij zyrtare, të dëmtuarin Gj. H., në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i pandehuri ndodhej në Motel “M.”, përballë vendit të ngjarjes ku kishte ndodhur një aksident trafiku dhe i dëmtuar ishte vëllai i tij, S. L., i revoltuar, derisa zyrtarët policorë ishin duke u marrë me rastin, i njëjti i afrohet zyrtarit policor Gj. H. dhe, duke bërtitur, e godet me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërsa gjatë intervenimit lëndime në dorë pëson edhe zyrtari policor I. R., me ç’rast të dëmtuarve u shkakton lëndime trupore.”

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Sulmi ndaj personit zyrtar” e sanksionuar me nenin 402 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke iu shmangur procedurës, apo duke e përsëritur veprën penale.

I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 13 tetor dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.