75 Mall Live Search
17:04 / E Martë, 14 Tetor 2025 / MSH

Haradinaj falënderon votuesit që përkrahen AAK-në, ka një mesazh për ditën e balotazhit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar të gjithë votuesit, sidomos ata nga Diaspora, që u angazhuan në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë rëndësinë e zgjedhjeve të balotazhit, që mbahen më 9 nëntor.

“Në dhjetor mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Aleanca po rikthehet fuqishëm falë edhe juve, falë angazhimit të Diasporës.

Të vazhdojmë të bashkuar si asnjëherë më parë, sepse Kosova na thërret” u shpreh Haradinaj.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të nderuar kolegë nga Diaspora,

E di se shumë prej jush jeni angazhuar shumë, si për zgjedhjet parlamentare në shkurt, ashtu edhe për zgjedhjet komunale tani. Keni votuar në Diasporë, keni kontaktuar familjarët tuaj dhe miqtë, dhe keni ardhur në Kosovë për ta përkrahur Aleancën.

Besnikëria juaj është e rrallë, qëndruat me ne gjatë të gjitha sfidave. Haga 1, Haga 2 e sfidat e tjera, dhe nuk na latë asnjëherë vetëm, ashtu sikurse nuk e latë vetëm Kosovën në luftën e UÇK-së.

Faleminderit nga zemra juve dhe familjeve tuaja!

Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet në balotazh për komunat e Kosovës. Mos e neglizhoni rëndësinë e ditës së balotazhit, votoni prej atje nëse mundeni, komunikoni me familjet dhe të njohurit tuaj në Kosovë, apo ejani edhe njëherë e votoni në Kosovë.

Në dhjetor mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Aleanca po rikthehet fuqishëm falë edhe juve, falë angazhimit të Diasporës.

Të vazhdojmë të bashkuar si asnjëherë më parë, sepse Kosova na thërret.

I juaji,

Ramush Haradinaj