Trumpi thotë se është i zhgënjyer me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi se udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, do ta vizitojë të premten në Uashington dhe se ai ka shprehur dëshirën për të marrë raketa “Tomahawk”.
Trump gjithashtu u shpreh i zhgënjyer nga presidenti rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se ai “nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës së tij në Ukrainë”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka njoftuar se do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington të premten. “E di çfarë do të thotë. Ai dëshiron armë. Do të donte të kishte Tomahawk”, deklaroi Trump.
Ai nuk bëri të ditur nëse do t’i plotësojë kërkesën e Zelenskyt, por theksoi se edhe vende të tjera janë të interesuara për blerjen e raketave “Tomahawk”. Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara “kanë shumë” prej tyre.
Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Trump komentoi edhe për presidentin rus, Vladimir Putin. Ai u shpreh i zhgënjyer nga Putin, duke theksuar se lideri rus nuk po tregon gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Shikoni, jam shumë i zhgënjyer sepse unë dhe Vladimiri kishim një marrëdhënie shumë të mirë, ndoshta ende e kemi. Ai duhet ta zgjidhë këtë luftë. E dini, tani në Rusi ka radhë të gjata njerëzish që presin për benzinë”, tha Trump.
Nga ana tjetër, presidenti Zelensky ka shpallur plane të reja për forcimin e mbrojtjes në jug të vendit. Ai ka bërë të ditur se në qytetin e Odessa-s do të vendoset një administratë ushtarake, duke argumentuar se qyteti ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje më të madhe.
Një tjetër vendim i rëndësishëm i presidentit ukrainas është revokimi i shtetësisë për disa persona që posedojnë pasaporta ruse. Mes tyre është edhe kryetari i bashkisë së Odessas, Gennady Trukhanov, ish-deputeti i Partisë Popullore të Ukrainës, Oleg Tsaryov, i dënuar më parë në Ukrainë, si dhe balerini i njohur Sergei Polunin.