75 Mall Live Search
09:41 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / KV

Jahjaga viziton komandën më të madhe të NATO-s: Paqja nuk arrihet vetëm përmes forcave ushtarake

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jajhaga është pritur në një vizitë në komandën më të madhe të NATO-s që e mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, në Napoli e Itali.

Aty mori pjesë, me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, e ku tha se kjo është vizita e parë nga Kosova që bëhet në këtë komandë. Ish-presidentja tha të kenë biseduar mes tjerash për rolin që Kosova luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

“E nderuar me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, për një vizitë të parë nga Kosova në komandën më të madhe të NATO-s që mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën,  në Napoli, Itali. Gjatë vizitës, pata mundësinë të bashkëbisedoj me ekipin drejtues për integrimin e parimeve të  Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në operacionet aktuale dhe të ardhshme të NATO-s, si dhe të shkëmbej mendime për rolin që Kosova  luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet  në rajon. Admiralin Munsch  e përgëzova për punën e jashtëzakonshme të NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në Kosovë, që për më shumë se dy dekada kanë garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët tanë. Gjithmonë falënderuese për intervenimin e NATO-s në vitin 1999, hap ky i cili shpëtoi një popull të tërë nga gjenocidi serb dhe hapi rrugën drejt lirisë”, ka shkruar Jahjaga.

Ndër të tjera, Jahjaga nënvizoi se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike.

“Në fund shpreha thellësisht mirënjohjen time për udhëheqjen, partneritetin dhe miqësinë që Admirali Munsch dhe NATO e kanë ndërtuar me popullin e Kosovës. Bashkëpunimi ynë dëshmon se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike”, ka shkruar ish-presidentja.