75 Mall Live Search
10:57 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / MSH

Akuzohen për krime lufte, gjykata cakton seancën fillestare ndaj tre serbëve

Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka njoftuar mbi caktimin e seancës së shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurve Dusan Gavraniq, Zoran Saraç dhe Zharko Cvetanoviq, të dyshuar për kryerje të krimeve në luftë, kundër popullatës civile.

Aktakuzën ndaj të pandehurve e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shkruan IndeksOnline.

“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Seanca fillestare do të mbahet më 22 dhjetor, në Prishtinë.

Me njoftimin e nisjes së seancës, Gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe dorëzohen para organeve të ndjekjes.

Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve të tjera kompetente.