Verifikohen dhe numërohen rreth 60% e vendvotimeve në nivel vendi, 12 komuna përmbyllin procesin

Të enjten në mëngjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat nga aktivitetet që janë duke u zhvilluar në Qendrat Komunale të Numërimit në komuna të ndryshme të Kosovës.
Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, rreth 60% e vendvotimeve kanë përfunduar procesin e numërimit të votave të kandidatëve për Kuvende Komunale si dhe të verifikimit të rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.
“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, e enjte, janë verifikuar rezultatet për 1,531 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,494 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,494, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale”, tha Elezi.
Sipas tij, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,025 të tilla.
Më tej, ai ka bërë të ditur se nga e hëna deri të enjten në mëngjes, aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 12 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Istog dhe Skenderaj (e mërkurë).
Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe akteve nënligjore të KQZ-së, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave; verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale; dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale.
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultslocal2025.kqz-ks.org/ janë duke u prezantuar rezultatet nga QKN-të, vendvotim pas vendvotimi.