E realizoi ëndrrën, duke luajtur me Kosovën, Leard Sadriu: Jemi grup i fortë, Foda ka karakter dhe disiplinë…!

Leard Sadriu ishte i ftuar për dy ndeshjet e muajit tetor te Kombëtarja e Kosovës dhe arriti të kishte minutat e para zyrtare me fanellën “Dardane”.
Gjatë një interviste për Indeksonline.net, mbrojtësi që tashmë luan në Rumani te skuadra e Argers-it, u shpreh tejet i lumtur që kishte minuta te Kosova, ai foli për fitoren ndaj Suedisë dhe gjasat për një kualifikim të mundshëm në Kupën e Botës 2026.

Sadriu luajti 5/6 minuta në ndeshjen ndaj Sllovenisë, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në barazimin 0:0.
“Ato minuta janë minutat më të rëndësishme në karrierën time. Pasi që në ato minuta e realizova një ëndërr që e kam pasur si fëmijë. Ishin dy ndeshje të vështira, por që kemi treguar se jemi një grup i mirë dhe mund të përballemi me cilindo kundërshtarë dhe jemi si të barabartë”, u shpreh fillimisht Sadriu për Indeksonline.net
Fitorja në Gothenborg ndaj Suedisë me rezultatin minimal 0:1 ishte një nga befasitë e këtij muaji. Çfarë u tha Foda para dhe pas ndeshjes, tregon mbrojtësi kosovar
“Trajneri Franco Foda tregoi se si të luajmë ndaj tyre. Por, po ashtu ai e potencoi se do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai besoi në kualitetin tonë dhe tha se mund të fitojmë. Ndërsa pas ndeshjes, tregoi arsyen pse besoi te ne”, u shpreh mbrojtësi kosovar

Kosova në nëntor luan ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës. Gjasat për kualifikim në Kupën e Botës ende qëndrojnë, madje edhe nga vendi i parë.
“Ne duhet t’i marrim edhe dy ndeshjet e radhës me qetësi dhe të japim maksimumin. Normal që jo vetëm lojtarët, por i gjithë vendi po ëndërrojmë për një kualifikim në Kupën e Botës”, vazhdoi tutje Sadriu
Sadriu është ftuar për herë të dytë nga Franco Foda. Ai e vlerëson shumë trajnerin gjerman, duke thënë se ka karakter, disiplinë dhe është shumë komunikues me çdo lojtar.
Ardhja e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit?
“Normal çdo ardhje ka qenë një forcë e shtuar për ne dhe besoj që ata treguan vlerat e tyre dhe ndihmuan ekipin në maksimum”.
Leard Sadriu para se të dilte jashtë vendit, luajti te Ferizaj dhe në Superiore të Shqipërisë. Ai ka një mesazh për futbollistët që janë pjesë e futbollit kosovar:
“Mesazhi im është vetëm që të vazhdojnë ëndrrën gjithmonë, sepse në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe realizimi i ëndrrës për të qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës është një rrugë e lehtë, por që duhet punë dhe vullnet.”

24-vjeçari e ka nisur mrekullisht sezonin në Rumani te skuadra e FC Arges-it. Në 12 ndeshje, mbrojtësi ka shënuar dy gola.
“Po e kemi filluar ligën në mënyrën më të mirë të mundshme. Fakti që kam shënuar dy gola në tri ndeshjet e para, tregon se kam arritur të ambientohem shumë mirë. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të marrim maksimumin e pikëve”, vazhdoi tutje lojtari për Indeksonline.net

Kujtojmë që Sadriu te skuadra e Argesit u transferuar gjatë këtij viti nga NS Mura. Kurse më parë ka qenë pjesë e: Shkëndijes së Tetovës, Skënderbeut të Tiranës dhe Ferizajit./Indeksonline/
E Intervistoi: Granit Tërstena