BE: Të bëhemi gati për luftë brenda pesë vjetësh

Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur për luftë brenda pesë vjetësh. Kjo është paralajmërimi që vjen nga Komisioni Evropian, në një plan për forcimin ushtarak të unionit. “Një Rusi e militarizuar përbën një kërcënim të qëndrueshëm”, shkruan komisioni në raport.
Në planin ushtarak, i cili do të prezantohet nga Komisioni Evropian të enjten, përcaktohen qartë prioritetet për vitet e ardhshme. Mbrojtja e Evropës duhet të bëhet më e përbashkët, sepse, edhe pse vendet individualisht kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, shumica e veprimeve ende zhvillohen në nivel kombëtar.
Kjo “çon në fragmentim, rritje kostosh dhe mungesë koordinimi”, thuhet në dokumentin 16-faqësh, në të cilin kanë pasur qasje Politico dhe Bloomberg.
“Deri në vitin 2030, Evropa duhet të ketë një qëndrim të mjaftueshëm të fortë mbrojtës për të penguar në mënyrë të besueshme kundërshtarët e saj dhe për t’iu përgjigjur çdo sulmi të mundshëm”, shkruhet më tej.
Dokumenti është një shenjë e qartë se BE-ja e kupton se unioni duhet të marrë një rol më të madh ushtarak, si përgjigje ndaj luftës dhe kërcënimeve të Putinit, si dhe mbështetjes së lëkundshme të Donald Trump për aleatët e SHBA-së.
Rusia përmendet si një kërcënim i qëndrueshëm për të ardhmen e parashikueshme, ndërkohë që “aleatët tradicionalë… po e zhvendosin fokusin e tyre drejt pjesëve të tjera të botës”.
Investimet e planifikuara
Për të përballuar kërcënimin, komisioni dëshiron që vendet anëtare të shpenzojnë të paktën 40 për qind të prokurimeve të tyre të mbrojtjes në kontrata të përbashkëta. Po ashtu, përcaktohen objektiva të qarta që një pjesë e madhe e blerjeve të bëhet nga industria e armëve brenda BE-së ose nga Ukraina.
Dokumenti përshkon disa fusha ku vlerësohet se BE-ja duhet të rrisë kapacitetet e saj, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore, sistemet e artilerisë, mbrojtjen kibernetike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale ushtarake.
Po ashtu përcaktohen afate kohore për disa projekte kyçe:
Eastern Flank Watch, që synon integrimin e mbikëqyrjes dhe mbrojtjes përgjatë kufirit lindor të BE-së; “Muri i dronëve”, që do të mbrojë kryesisht pjesën lindore të unionit; Një sistem i përbashkët evropian i mbrojtjes ajrore; Një sistem mbrojtës për asetet e BE-së në hapësirë.
Suedia është një nga disa vende që shprehet me dyshime ndaj disa pjesëve të propozimit. Në deklaratën suedeze, sipas Politico-s, thuhet se e rëndësishme është çfarë arrijnë të bëjnë vendet, jo mënyra se si e bëjnë këtë. Ndër të tjera, Suedia kundërshton kërkesën e propozuar për prokurime të përbashkëta. (Burimi: Expressen)