75 Mall Live Search
08:22 / E Shtunë, 18 Tetor 2025 / F.R

​Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore shërben për të sjellë në vëmendje të vendimmarrësve, shoqërisë civile, agjencive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur mbarë botën. Rreth 27 milionë persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.

Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi.

Trafikimi për kriminalitet të detyruar nxit korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kriminelët përfitojnë nga vuajtjet njerëzore, ndërsa viktimat përballen me ndëshkim dhe stigmë.

Për të çmontuar këto rrjete, përgjigjet duhet të përqendrohen në identifikimin e viktimave dhe drejtësinë e përqendruar te të mbijetuarit. Qeveritë, shoqëria civile dhe aktorët ndërkombëtarë duhet të sigurojnë sisteme të forta referimi, mbështetje për riintegrim dhe të mbështesin parimin e mosndëshkimit.

Gratë dhe vajzat e përfshira në trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual, pësojnë dhunë dhe abuzim që përfshin edhe privimin e lirisë personale, dhunë ekonomike, fizike dhe seksuale të cilat çojnë në pasoja të rënda dhe ndonjëherë kërcënuese për jetën.