75 Mall Live Search
13:42 / E Diele, 19 Tetor 2025 / BA

​Bastisjet në Zubin Potok dhe Zveçan lidhen me vrasjen e doganierit të EULEX

Teksa Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është duke zhvilluar një operacion policor në komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, flitet që tanimë është arrestuar një person. Megjithatë, deri tani nuk ka asgjë të konfirmuar.

Në Polici dhe prokurori kanë thënë se më vonë do të lëshojnë një komunikatë për media. Kurse, KP ka mësuar se bastisjet kanë të bëjnë me dyshimin për vrasjen e doganierit të EULEX-it, vrasje e cila ka ndodhur në vitin 2013.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm kanë zbatuar një urdhër të Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për të kryer bastisje në nëntë ( 9 ) lokacione, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje të rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale thuhet se Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

“Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se publiku do të njoftohet me detaje pas përfundimit të operacionit policor në këto dy komuna.