Kushtrim Sopa me përulësi dhe dashni për Prishtinën, ndër 15 më të votuarit e LDK-së

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtrim Sopa, ka arritur një sukses të rëndësishëm në zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë, duke u renditur ndër 15 më të votuarit e LDK-së, me mbi 600 vota në kryeqytet.
Në një postim falënderues, Sopa ka shprehur mirënjohje të thellë për qytetarët, veçanërisht për lagjet Arbëria (ish-Dragodani), Tophane dhe Qafa, ku ka dalë si kandidati më i preferuar nga të gjitha subjektet politike në qendrat e votimit “Meto Bajraktari” dhe “Mehmet Gjevori”.
“Kjo nuk është vetëm privilegj dhe krenari, por edhe përgjegjësi e madhe që me nderin më të madh të jem përfaqësues dinjitoz i juaji në çdo rrethanë”, ka shkruar Sopa.
Sopa ka falënderuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, për besimin dhe mbështetjen e dhënë.
Ai e ka përshkruar këtë rezultat si “fillimin e rikthimit të fuqishëm të LDK-së në Prishtinë”, duke e cilësuar mbështetjen që mori si më të madhën që nga përfshirja e tij në jetën politike./IndeksOnline/