75 Mall Live Search
10:11 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / KV

Rasti “Banjska”/ Rrëfimi i dëshmitarit anonim dhe kërkesa e prokurorit për seancë të mbyllur (Video)

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin e Krimeve të Rënda ka nisur seanca gjyqësore për rastin “Banjska”, transmeton IndeksOnline.

Në fillim të seancës së sotme, prokurori i rastit, Naim Abazi, ka kërkuar që pjesa e procesit ku do të administrohet dëshmia e dëshmitarit anonim “A2” të zhvillohet pa praninë e publikut.

Abazi, ka kërkuar që seanca e cila aktualisht është e hapur për publikun, të shpallet përkohësisht seancë e mbyllur.

Sipas prokurorit, kjo kërkesë bëhet me qëllim garantimin e privatësisë së dëshmitarit.

Ai theksoi se ekspozimi i identitetit të tij mund të cenojë integritetin personal dhe të ndikojë negativisht në rrjedhën e procesit gjyqësor.

“Për këto arsye, kërkojmë që seanca të mbyllet plotësisht gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim,” deklaroi Abazi.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën që seanca të jetë e mbyllur derisa të dëshmojë dëshmitari A2./IndeksOnline/