75 Mall Live Search
10:24 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / Z S

Gjykata mbyll për publikun seancën me dëshmitarin e mbrojtur A2 në rastin “Banjska”

Trupi gjykues në rastin “Banjska” ka vendosur që seanca e sotme të zhvillohet e mbyllur për publikun dhe mediat, pasi gjatë saj do të dëgjohet një dëshmitar i mbrojtur.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, kërkoi që dëshmia e dëshmitarit A2 të jepet pa praninë e publikut dhe mediave, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së identitetit të tij të fshehur.

“Sot është planifikuar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit A2, kërkojmë që kjo seancë e hapur për publikun të mbyllet përkohësisht gjatë administrimit të dëshmisë së dëshmitarit anonim A2. Kjo që të ruhet siguria fizike dhe integriteti i dëshmitarit. Kërkoj që kjo seancë të jetë e mbyllur në mënyrë që të respektohen dispozitat ligjore për mbrojtjen e dëshmitarit”, tha Abazi.

Avokati i palës mbrojtëse, Ljubomir Pantović, e kundërshtoi këtë kërkesë.

“Kjo çka pretendon prokurori, që seanca e hapur do të ndikonte negativisht te dëshmitari dhe te kjo seancë dhe ky proces në tërësi, edhe unë do të pajtohesha me të po të dëgjonim nga prokurori arsye konkrete për të cilat prania e publikut do të ndikonte negativisht te dëshmitari dhe procesi në tërësi. Pra, ne arsye konkrete nuk kemi dëgjuar nga prokurori, ashtu që propozoj që të mos e pranoni këtë propozim”, tha ai.

Pas dëgjimit të palëve, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, vendosi që seanca të mbyllet për publikun gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur.

“Aprovohet propozimi i prokurorisë që seanca të kalojë në seancë të mbyllur gjatë dëshmisë së dëshmitarit anonim A2, me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarit”, tha Hoti.

Më 11 shtator të 2024-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Të përfshirët, sipas aktakuzës kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, pati dekalruar prokurori i rastit në konferencën për media të dhënë me 11 shtator të 2024-ës.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpërmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Banjska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale./Indeksonline/