75 Mall Live Search
16:06 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / BA

​Abdixhiku: LDK-ja do të dalë fituese në shumicën e komunave në balotazh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pasur sot një takim pune me kandidatët e LDK-së që garojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në këtë takim, u diskutuan përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për balotazhin dhe mobilizimi i plotë i strukturave në terren.

Në një njoftim të LDK-së thuhet se kryetari Abdixhiku vlerësoi lart entuziazmin dhe energjinë pozitive që po mbizotëron në çdo komunë ku LDK-ja garon, duke theksuar se qytetarët e Kosovës tashmë po e njohin qartë dallimin mes qeverisjes serioze dhe asaj të gabuar.

“LDK-ja ka dëshmuar se di të qeverisë me përgjegjësi, me ndershmëri dhe me rezultate. Kemi sjellë zhvillim, mirëqenie dhe stabilitet në komunat tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me përkushtim edhe pas 9 nëntorit. LDK-ja vazhdon të mbetet shembull i qeverisjes lokale që punon për qytetarin, për projekte konkrete, për shërbime më të mira dhe për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, citohet Abdixhiku në njoftim.

Më tej thuhet se LDK-ja është e bindur se me këtë frymë uniteti, profesionalizmi dhe përkushtimi të përbashkët, do të dalë fituese në shumicën e komunave në balotazh.

Sot, gjatë ditës është arritur marrëveshje për koalicion paszgjedhor në Vushtrri mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe atij të Vetëvendosjes. Për këtë koalicion, LDK-ja në Vushtrri tha se kjo marrëveshje nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë.

LDK-ja është në balotazh në këto komuna: Prishtinë, Dragash, Viti, Junik, Obiliq dhe Pejë.