75 Mall Live Search
16:22 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / b l

KEDS-i me investime masive në Dragash: Rrjeti i ri paraprin zhvillimin e një zone me potencial të madh turistik

Në dalje të Dragashit, në drejtim të Prizrenit, tok me relievin fantastik që karakterizon këtë zonë malore, gjarpëron edhe rrjeti elektrik krejtësisht i ri, që tashmë është vendosur buzë rrugës kryesore.

Ndryshe nga rrjeti i vjetër, i cili kalonte nëpër male dhe e bënte shumë të vështirë intervenimin, veçanërisht gjatë dimrit për shkak të kushteve atmosferike të rënda, rrjeti i ri është projektuar dhe ndërtuar për të ofruar siguri, qasje dhe qëndrueshmëri shumë më të lartë.

Në kuadër të projekteve për përforcimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në nivelin e tensionit të mesëm 10(20) [kV], KEDS ka realizuar një investim të rëndësishëm në Dragash, konkretisht në daljen J07 Rapqa, e cila furnizon afro 2000 konsumatorë apo mbi 5000 banorë dhe biznese të kësaj zone.

Ky investim është ndërmarrë me qëllim të eliminimit të pikave të identifikuara si të dobëta në bartjen e energjisë elektrike dhe përmirësimit të sigurisë dhe cilësisë së furnizimit. Punimet kanë përfshirë rekonstruktimin e plotë të rrjetit ekzistues të tensionit të mesëm, përmes ndërtimit të segmenteve të reja, ku një pjesë e rrjetit është konvertuar nga ajror në nëntokësor, ndërsa segmentet ajrore janë realizuar sipas standardeve teknike bashkëkohore që aplikohen në rrjetet moderne të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Përmes këtij investimi, janë eliminuar segmentet e vjetra që shpesh kanë qenë burim i prishjeve dhe ndërprerjeve të furnizimit, duke kontribuar në mënyrë të ndjeshme në rritjen e besueshmërisë dhe stabilitetit të rrjetit elektrik. Si rezultat, konsumatorët e kësaj zone tashmë përfitojnë një furnizim më të qëndrueshëm dhe me cilësi më të lartë të energjisë elektrike.

Ky projekt përfaqëson vetëm një pjesë të angazhimeve të vazhdueshme të KEDS në komunën e Dragashit. Më herët, KEDS kishte realizuar edhe projektin madhor të ndërtimit të daljes 35 kV nga Zhuri në Dragash – një linjë tërësisht e re që ka zëvendësuar rrjetin e vjetër ajror që kalonte maleve, me një linjë moderne nëntokësore.

Në të njëjtën kohë, nga Dragashi janë drejt përfundimit edhe dy linja të reja të tensionit të mesëm: ajo e Restelicës, që mbulon rajonin e Gores, dhe ajo e Brodit, që përfshin zonën e Bjeshkëve të Sharrit.

Këto investime, të realizuara në një nga zonat më malore dhe me potencial të madh turistik të vendit, garantojnë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik, turizëm malor dhe nxitje të aktiviteteve të tjera prodhuese, sidomos atyre të blegtorisë, për cka njihet kjo trevë.

Me këtë projekt, KEDS-i vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe avancimin e infrastrukturës energjetike në çdo cep të Kosovës.