Sadik Sadiku rizgjidhet kryetar i SHKA “Sofra Pejane”

Në punimet e kuvendit të rregullt zgjedhor SHKA “Sofra Pejane” ka zgjedhur kryetarin dhe organet përkatëse të saj.
Me votë unanime, kryetar i SHKA “Sofra Pejane” është rizgjedhur Sadik Sadiku, pasardhës i bashkëthemeluesit të shoqërisë “Përparimi” i parë i Pejës i viteve 1939, Make Sadikut.
Përpos në SHKA “Sofra Pejane”, Sadik Sadiku shquhet edhe për rolin e tij, në veprimtarinë e SHKA “Vëllëzërit Bakraq”’ gjatë viteve ’70-të.

Gjatë punimeve, është paraqitur raporti financiar në mes të dy kuvendeve, për çfarë edhe është falënderuar sponsori gjeneral në vitet pandemike, presidenti i “Elkos Group-Etc”, biznesmeni i fuqishëm Ramiz Kelmendi si dhe për projektin 2024-2025 është falënderuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbështetje financiare në projektin, në realizim “Çerek shekulli, trashëgimi dhe kulturë – ‘Sofra Pejane’”.

SHKA “Sofra Pejane”, me fille dyshekullore të traditës në Pejë, në riorganizimin e saj të pasluftës, nga viti 1999 e deri më 2008, u drejtua me kryetar, të ndjerin Ekrem Turjaka.
Postimi i plotë:

‘Me kënaqësi dhe krenari të veçant, me votë unanime, SHKA ‘Sofra Pejane’, në kuvendin e rregullt zgjedhor, rizgjodhi edhe për një mandat të plotë, kryetar të shoqërisë z. Sadik Sadiku.
Po ashtu u emëruan dhe zgjodhën edhe organet e tjera mbështetëse.
Në takim u prezantuan edhe raportet financiare dhe planet mbi projektet e radhës!
“Një falënderim për mbështetjen e pakursyer financiare që nga vitet pandemike u adresua për presidentin e ‘Elkos Group-Etc’, z. Ramiz Kelmendi si dhe për mbështetjen për 2025, për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën nga SHKA “Sofra Pejane”.

Ndryshe, nga viti 2017, në qeverinë Haradinaj, me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, SHKA “Sofra Pejane” është në mesin e shtatë aseteve të para të trashëgimisë shpirtërore në Republikën e Kosovës.

E gjithë kjo në saje të vlerave autentike muzikore, traditës shekullore, resurseve njerëzore profesionale, kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të mirëfillta dhe prezantimit të tyre në hapësirat mbarëshqiptare që kjo shoqëri ka paraqitur ndër vite, qoftë si organizim po ashtu edhe si formacion muzikor. Vetë fakti që tradita e “Sofrës Pejane” prekë mëse dy shekuj ekzistimi, dëshmon rëndësinë që kishte Sofra për qyetetarinë pejane, bartur ndër breza./RADIO 1/



