“Më i larti në Evropë” – qytetarët ankohen për çmimet e energjisë elektrike

Në kohën kur po afrohemi drejt stinës së dimrit, nevoja dhe konsumimi i energjisë elektrike rritet. Qytetarët e Kosovës thonë po përballen ende me sfida të ndryshme, nga ndërprerjet e kohëpaskohshme, deri te rritja e çmimeve që rëndon buxhetin familjar.
Behxhet Reka, qytetar nga Prishtina tha se ndërprerjet e energjisë janë më të shpeshta gjatë sezonit dimëror.
Sipas tij edhe kostoja e energjisë elektrike është e papërballueshme.
“Nuk jemi të kënaqur. Shpesh po ndalet energjia me e thënë të vërtetën çmimi shumë i shtrenjtë, po çka kena me bo kështu jemi ne….Sigurisht shpesh, gjatë ditës ka ndodhur që është ndalur nga një orë dy orë….Sigurisht dimrit më shumë është më e shpeshtë, por ka ndodhur edhe gjatë verës”.
Ndërsa, Shpend Bokshi nga Prishtina nuk ka të njëjtat telashe, pasi ai ka theksuar se nuk është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike. Për Bokshin edhe çmimet janë të përballueshme.
“As gjatë dimrit, këto tre katër vitet e fundit ndoshta edhe më tepër super ka qenë…E kursejmë gjatë dimrit kemi nxehje qendrore, gjatë verës nuk ka shpenzim të madh”, tha Bokshi.
Edhe për Ejup Kamberin kapaciteti dhe furnizimi me energji elektrike është i mjaftueshëm.
“Po ka momentalisht energji të mjaftueshme, por tash se si do të ndodh fati i saj gjatë sezonit të dimrit do ta shohim, tani për tani funksionon….Para do dite ishte një ndërprerje sigurisht për shkak të defektit të natyrave të ndryshme …Shumë shtrenjtë është domethënë këto masa që po i merr qeveria për asistentë të ndihmës nuk janë të mjaftueshme, po e llogariti si rast të mirëfilltë, kështu që nuk është në rregull, çmimet janë katastrofike shumë të larta”, tha Kamberi.
Kurse, Mirsad Krasniqi i cili punon në sheshin e kryeqytetit tha se çmimi është i lartë, megjithatë ai ka potencuar se situata me energji elektrike është në nivel.
Për Selman Bytyqi, pagat në vend nuk janë të mjaftueshme për çmimin e energjisë elektrike.
“Më herët kemi pasur probleme tash nuk kemi kohëve të fundit…Çmimet janë katastrof, shumë çmim i madh në bazë të ekonomisë, pagat nuk i kemi në Kosovë. Mendoj se është çmimi më i lartë në Evropë”, tha ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, në tetor ka njoftuar se gjatë muajit gusht të vitit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 502.12 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 411.92 GWh ose 1.29 për qind më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak./Indeksonline/