Bulliqi flet për balotazhin në Prishtinë, dhe marrëveshjen VV-LDK në Vushtrri

Kryetari i rizgjedhur i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një prononcim për IndeksOnline ka folur për garën e balotazhit në Prishtinë mes Hajrulla Çekut dhe Përparim Ramës, si dhe marrëveshjen e koalicionit VV-LDK në Vushtrri.
Sa i përket balotazhit në Prishtinë, Bulliqi e cilësoi atë si një garë me rëndësi kombëtare, duke dhënë mbështetje të plotë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku.
”Balotazhi në Prishtinë është një garë e rëndësishme jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë vendin. Hajrulla Çeku ka treguar integritet, profesionalizëm dhe rezultate konkrete në qeverisje si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Natyrisht që do ta mbështesim, ashtu siç e mbështesim çdo kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje! Kjo mbështetje do të jetë përmes angazhimit politik, komunikimit me qytetarët dhe mobilizimit të aktivistëve tanë për të kontribuar në fitoren e Lëvizjes në Prishtinë” ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket koalicionit mes VV-së dhe LDK-së në Vushtrri, Bulliqi u shpreh se çdo bashkëpunim që synon stabilitet dhe zhvillim është i mirëseardhur.
”Çdo bashkëpunim që synon stabilitet institucional dhe zhvillim lokal është i mirëseardhur, për aq sa bazohet në parime dhe në interesin e qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje! gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunime që prodhojnë rezultate, jo për pazare politike.” deklaroi Bulliqi për IndeksOnline.
Tutje, Bulliqi tha se veprimi i Xhafer Tahirit tregon se ai ka vullnet për ndryshmin e qeverisjes në komunën e Vushtrrisë, andaj i gëzohet arritjes së kësaj marrëveshjeje.
”Veprimi për arritje të një koalicioni parazgjedhor te Tahiri me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Vushtrri tregon për guximin dhe vullnetin e tij për ndryshimin në qeverisje në këtë komunë. Unë pres që ky koalicion të sjellë fitore të kandidatit tonë Dr.Sylejman Mehollit në Vushtrri. Andaj i gëzohem këtij lajmi dhe i përgëzoj për arritjen e kësaj marrëveshjeje” tha ai. /IndeksOnline/