75 Mall Live Search
13:44 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / P M

Supremja pranon ankesën e AAK-së për Junikun, PZAP-ja detyrohet ta shqyrtojë kërkesën për rivotim

Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka pranuar si të bazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke e prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me numër ZL.Anr.217/2025, të datës 15 tetor 2025.

Me këtë vendim, çështja i kthehet PZAP-së për rivendosje, thuhet në njoftimin e gjykatës.

PZAP-ja e pati hedhur si të palejuar ankesën e AAK-së, e cila kishte kërkuar shpalljen si të paligjshme të zgjedhjeve komunale në Junik dhe organizimin e rivotimit, duke pretenduar se shkeljet e evidentuara në procesin zgjedhor kishin ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Gjykata Supreme nuk e ka pranuar qëndrimin e PZAP-së për hedhjen poshtë të ankesës si të palejuar, duke vlerësuar se ajo duhej të shqyrtohej në bazë të meritave. 

Për këtë arsye, me aktgjykimin AA.nr.92/2025, gjykata ka kërkuar nga PZAP-ja që gjatë rivendosjes të eliminojë shkeljet ligjore dhe të vendosë në mënyrë të drejtë dhe të bazuar mbi përmbajtjen e ankesës së AAK-së.

Kjo hap mundësinë që Komuna e Junikut të përballet me proces të rivotimit, nëse PZAP-ja e vlerëson të arsyeshme kërkesën e AAK-së.