Britania sanksionon rrjetin kosovar që e akuzon për falsifikim dokumentesh për banda kriminale

Britania ka sanksionuar ato që i ka quajtur banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një në Kosovë, të cilat dyshohet se kishin falsifikuar dokumente, që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve.
Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.
“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.
Sipas Mbretërisë së Bashkuar, personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka sanksionuar Nusret Seferoviq, që e cilësoi si udhëheqës të një bande kroate, që kishte furnizuar bandat në Ballkan me pasaporta të falsifikuara kroate.
Dy persona të tjerë dhe një kompani tregtare u sanksionuan për pjesëmarrjen e tyre në një rrjet që transferonte para dhe blinte pjesë të anijeve të vogla, të përdorura nga bandat për të lehtësuar migrimin e paligjshëm, u tha në njoftimin e Qeverisë britanike.
Britania tha se këto sanksione janë hapi i fundit në luftimin e rrjeteve kriminale që kanë rritur migrimin ilegal në këtë shtet. Këto veprime, tha Qeveria britanike, kanë ndihmuar që të ulet numri i migrantëve nga Ballkani Perëndimor nga 140.000 më 2022 në 21.000 vitin e kaluar. /REL/