Sazan Ibrahimi: Komunat kanë realizuar 70% të buxhetit për investime kapitale, qeveria as 40%

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për IndeksOnline se komunat e vendit po dëshmojnë efikasitet dhe përkushtim të lartë në menaxhimin e financave publike, duke realizuar deri më tani rreth 70% të buxhetit të tyre për investime kapitale.
Sipas tij, ndërsa shpesh qeveria qendrore shihet si bartëse e përgjegjësive në këtë fushë, të dhënat tregojnë një realitet krejt ndryshe – janë komunat ato që po udhëheqin me shembull konkret.
“Komunat e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar vizion, përkushtim dhe efikasitet në planifikimin dhe realizimin e projekteve kapitale. Deri më sot, ato kanë arritur të shpenzojnë rreth 70% të buxhetit të tyre për investime kapitale, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët si shkolla, çerdhe, rrugë, infrastrukturë publike dhe hapësira të reja në shërbim të qytetarëve”, tha Ibrahimi për IndeksOnline.
Ai shtoi se ky nivel i lartë i realizimit është tregues i qartë se, pavarësisht sfidave buxhetore dhe burokracisë, qeverisja lokale po punon çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
Në anën tjetër, Ibrahimi theksoi se niveli qendror ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë arritur të shpenzojnë as 40% të buxhetit të investimeve kapitale.
“Kjo jo vetëm që ngre pyetje serioze për planifikimin dhe menaxhimin e projekteve në nivel qendror, por edhe krijon një kontrast të thellë me angazhimin e komunave. Ky kontrast tregon qartë një të vërtetë: qytetari fiton më shumë kur vendimmarrja dhe mjetet financiare janë më afër tij”, theksoi ai.
Në fund, Ibrahimi apeloi që mjetet e pashpenzuara të nivelit qendror të ridestinohen për të mbuluar pasojat financiare të kontratave kolektive në komuna.
“Këto kontrata kanë krijuar barrë të madhe buxhetore për qeverisjen lokale dhe, pa mbështetje të nivelit qendror, rrezikohet funksionimi normal i shumë komunave dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarët,” përfundoi Ibrahimi./IndeksOnline/