75 Mall Live Search
07:52 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / MSH

GJND-ja ka një urdhër për Izraelin

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli është i obliguar që të lehtësojë dërgimin e ndihmave për në Gazë, duke theksuar se duhet t’u sigurojë palestinezëve “nevojat bazike” për mbijetesë. Vendimi i GJND-së u kundërshtua menjëherë nga Izraeli.

Ky vendim vjen në kohën kur organizatat humanitare po përpiqet që të rrisin ndihmën urgjente për Gazën, duke shfrytëzuar armëpushimin e brishtë të arritur më herët gjatë këtij muaji.

Opinioni këshillues i GJND-së nuk është ligjërisht i obligueshëm, por gjykata beson se ai “ka peshë të madhe ligjore dhe autoritet moral”.

Presidenti i GJND-së, Yuji Iwasawa, tha se Izraeli “është i detyruar që të pajtohet dhe të lehtësojë programet e ndihmës të ofruara nga Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj”.

Këtu përfshihet edhe UNRWA, Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, të cilin Izraeli e ka ndaluar pasi ka akuzuar disa pjesëtarë të stafit të kësaj agjencie se kanë marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu ndaj Izraelit, duke nxitur luftën në Gazë.