75 Mall Live Search
10:53 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / S Z

Rama në BBC-i: Nuk do të lejojmë qendra kthimi në Shqipëri

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dha një intervistë për programin “The World Tonight” në BBC-i Radio 4, ku komentoi mbi marrëveshjen me Britaninë për kthimin e emigrantëve shqiptarë dhe qëndrimin e tij kundër ngritjes së qendrave të kthimit në territorin shqiptarë.

Kreu i Qeverisë shqiptare sqaroi se, ndonëse ka një marrëveshje të veçantë me Italinë për trajtimin e azilkërkuesve, Shqipëria nuk do të pranojë kurrë ngritjen e qendrave të kthimit në territorin e saj.

“Me Italinë ishte një marrëveshje unike për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë. Ne i ofruam Italisë një copë toke tonën që të menaxhohej nga ata, si juridiksion italian. Por ideja e qendrave të kthimit nuk është zgjidhja”, theksoi ai, shkruan euronewsal, transmeton Klankosova.

Rama shtoi se zhvendosja e azilkërkuesve në vende të treta mund të ketë efekt parandalues, por nuk adreson shkakun e vërtetë të emigracionit.

Ai theksoi nevojën që Evropa dhe Britania të reflektojnë mbi rolin e emigracionit në shoqëritë e tyre të plakura.

“Në fund të ditës duhet të pyesim: a është imigracioni një problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes, sepse dimri demografik i Evropës dhe Britanisë është shumë i pranishëm”, tha Rama, duke shtuar se nevoja për fuqi punëtore është e madhe.

Sipas tij, emigracioni i paligjshëm dhe rrjetet e trafikimit mund të luftohen vetëm përmes bashkëpunimit të drejtëpërdrejtë dhe marrëveshjeve të ndërsjella midis vendeve të origjinës dhe atyre të destinacionit.

“Ana e errët e këtij fenomeni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët fitojnë. Por, për fat të keq, jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e dobëta mbizotërojnë për shkak të presionit të politikës që kërkon përçarje dhe kërkon gjak, në kuptimin simbolik”,  shpreh kryeministri shqiptar.