Zelensky: S’bëjmë lëshime territori

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij është gati të mbështesë një armëpushim, por nuk do të bëjë lëshime për çështjen territoriale.
Zelensky, i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE), përpara samitit bëri deklarata për shtyp me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Duke vënë në dukje se kanë mirëpritur paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së të miratuar kundër Rusisë, Zelensky tha se kjo është me rëndësi të madhe sepse sipas tij Rusia nuk e ka ndërmend t’i japë fund luftës.
Zelensky vuri theksin mbi nevojën për të rritur presionin mbi Rusinë dhe për këtë arsye falënderoi BE-në për mbështetjen.
“Armëpushimi është ende i mundur dhe vendi im është gati ta mbështesë atë. Armëpushimi duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm. Ne nuk do të bëjmë lëshime territoriale”, tha Zelensky.
Lidhur me çështjen e sigurimit të raketave me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja si “Tomahawk”, Zelensky deklaroi se ky do të ishte vendimi i Amerikës. Ndër tjera, presidenti ukrainas theksoi rëndësinë e sanksioneve energjetike të SHBA-së kundër Rusisë dhe deklaroi se beson që ashtu si këto sanksione, edhe dërgesat e raketave “Tomahawk” në të ardhmen, do të jenë të mundura.